ShBA-ja “i çon të fala” Rusisë që tha se amerikanët s’luftojnë për Ukrainën, Blinken drejt Kievit

ShBA-ja “i çon të fala” Rusisë që tha se amerikanët s’luftojnë për Ukrainën, Blinken drejt Kievit

Vetëm pak ditë pasi kryediplomati rus, Sergey Lavrov, tha se amerikanët nuk do të luftonin për Ukrainën, televizioni CBS News raportoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do ta vizitojë këtë shtet javën e ardhshme.

Televizioni amerikan tha se kryediplomati i Shtëpisë së Bardhë e konfirmoi vizitën në Ukrainë gjatë një interviste në emisionin “60 Minuta”, që do të transmetohet të dielën. Moska i alarmoi kryeqytetet perëndimore dhe Kievin këtë muaj duke grumbulluar numër të madh ushtarësh afër kufirit me Ukrainën, ndonëse javën e kaluar urdhëroi që disa prej trupave të tërhiqen, shkruan Reuters.

“Ka më shumë forca të grumbulluara në kufirin me Ukrainën sesa në çdo kohë nga viti 2014, kur Rusia në të vërtetë pushtoi”, dëgjohet duke thënë sekretari Blinken në një fragment të kësaj interviste që ende nuk është transmetuar e plotë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka shprehur shqetësimin e tij rreth grumbullimit të trupave ruse drejtpërdrejt para homologut nga Rusia, Vladimir Putin, dhe e ka bërë të qartë përkushtimin e ShBA-së për mbrojtjen e integritetit territorial të Ukrainës, tha të mërkurën këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan.

Ushtria amerikane tha të martën se një anije e Rojës Bregdetare të Shteteve të Bashkuara është nisur drejt Detit të Zi për të bashkëpunuar me aleatët e NATO-s dhe me partnerët në atë rajon.

Related Articles