Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen franceze “Le Monde” ka folur në mënyrë të detajuar për shqetësimin e Kosovës sa i përket lidhjeve të forta në mes të Serbisë dhe Rusisë, sidomos pas agresionit që Vladimir Putin ka nisur në Ukrainë.
I pyetur nga gazeta franceze se pse e shqetësojnë lidhjet në mes të serbëve dhe rusëve, Kurti ka thënë se Beogradi dhe Moska janë të lidhur shumë më fortë nga sa e imagjinojnë njerëzit, dhe se kjo lidhje e tyre është në të gjitha fushat, duke përmendur Gazpromin, Sputnikun dhe lidhjet e inteligjencës ruso-serbe.
“Gazprom zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi dhe 51% të kapacitetit të depozitimit të gazit. Në media, agjencia Sputnik drejton operacionet e saj për Ballkanin Perëndimor nga Beogradi; dhe mjafton të shikosh titujt e gazetave serbe për të kuptuar se kush i drejton realisht. Për sa i përket inteligjencës, Rusia mban të ashtuquajturën “qendër humanitare” në qytetin e Nishit. Ekziston edhe kjo shifër marramendëse: 151 deputetë të Kuvendit të Serbisë (60% e deputetëve) i përkasin grupit të miqësisë serbo-ruse. Edhe në Kosovë i kemi këto grupe të miqësisë parlamentare me vende të ndryshme, por asnjëherë nuk i kalon dymbëdhjetë persona”, ka thënë Kurti për “Le Monde”, përcjell Gazeta Enigma.
Kurti tutje ka folur edhe për atë se a ndikohen njejtë edhe minoriteti serb që jetojnë në Kosovë. Kreu i ekzekutivit ka thënë se fatkeqësisht edhe në Kosovë ka organizata të së djathtës ekstreme serbe që njërën këmbë e kanë në Beograd dhe tjetrën në Moskë.
“Vërej se Putin e përmendte një herë në muaj “precedentin” e Kosovës [ndërhyrja e NATO-s në 1999], tani e bën çdo dy ditë për të justifikuar politikën e tij hegjemoniste në Ukrainë, e ndoshta diku tjetër. Mund ta quajmë një pushtim rus, ose një agresion ushtarak. E gjithë kjo është e vërtetë. Mund të flasim edhe për imperializmin rus. Por ajo që shoh vetë është edhe fashizëm”, ka shtuar tutje Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se kreu i Kremlinit është futur në një rrugë qorre dhe se s’do të mund të tërhiqet. Prandaj Kurti thotë se Kosova është e shqetësuar, meqë duket qartë se Putin tenton ta përhapë luftën e tij edhe më tej.