Vendosja e shenjës për ndalimin e shamisë në shkollën e Gjakovës, reagon Bashkësia Islame e Kosovës

Vendosja e shenjës për ndalimin e shamisë në shkollën e Gjakovës, reagon Bashkësia Islame e Kosovës

Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar ashpër për shenjën për ndalimin e shamisë të vendosur në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”, në Gjakovë.

Sipas BIK, ky veprim “e trajton mbulesën e femrës sipas parimeve islame si një veprim ordiner”.

Nga ky institucion fetar kanë kërkuar anulimin e Nenit të Udhëzimit Administrativ, që e parasheh këtë ndalesë.

“Një trajtim i tillë i parimeve fetare është mendësi e së kaluarës moniste. Mësimet e parimet fetare nuk dëmtojnë e nuk rrezikojnë shoqërinë, përkundrazi edukojnë, mësojnë e fisnikërojnë. Ky është qëllimi i besimit, e në këtë kontekst duhet parë edhe mbulesën e femrës myslimane.

Për të mos na u përsëritur situata të tilla, kërkojmë edhe njëherë nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, që ta anulojnë nenin 3  paragrafi 1 pika 1.13 të Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014, të cilin e konsiderojmë si burim të këtyre akteve e veprimeve që krijojnë situata të tilla”, thuhet në reagim.

Ndryshe,Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, i ka reaguar deputetes Duda Balje, e cila mbrëmë bëri një postim pas simbolit që ndalon vendosjen e shamisë në këtë shkollë.

Gjergjaj ka thënë se vetëm po e respekton Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulet, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”, ka shkruar Gjergjaj.

Ajo ka thënë se do t’i drejtohet edhe autoriteteve të sigurisë për, siç ka thënë, fushatën e kërcënimeve që Balje ka nxitur ndaj saj,

“Sidoqoftë, për fushatën e kërcënimeve që ju nxitet sonte ndaj meje, natyrisht se nesër do t’i drejtohem autoriteteve të sigurisë. Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime – Kosova – për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mija ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh, se në disa raste përballemi edhe me individ të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Gjergjaj.

Related Articles