297 kosovarë për këta tre muajt e parë të 2022-ës kërkuan trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike.
Për këto raste Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i ka dhënë 1,071,971.91 euro.
Derisa, për vitin paraprak ky institucion ka pranuar 1122 aplikacione me një kosto prej 9,400,993.08 euro, ku 434,866.61 euro janë shpenzuar në institucionet shëndetësore private në Kosovë.
Kërkesat më të mëdha të qytetarëve për t’u trajtuar jashtë kufijve të Kosovës janë për sëmundjet malinje sikurse leukemia, ato kardiokirurgjike te fëmijët dhe rastet ortopedike.
Por, një shumë e këtyre mjeteve mund të mos dalë jashtë vendit, pasi që ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, thotë se me këto mjete të shpenzuara jashtë vendit mund të bëhet shërbimi i kardiokirurgjisë së fëmijëve.
Latifi thotë se stafi për këtë punë do të trajnohet në Itali dhe brenda një kohe të shkurtër të gjitha shërbimet e kardiokirurgjisë do të jenë në Kosovë.