Kryeministri i vendit, Albin Kurti, thotë se Qeveria e Kosovës është duke u angazhuar që të krijojë kushtet më konkurruese në rajon për investime të huaja direkte, si dhe të bashkërendisë ofertën e sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës.
Kurti ftoi dhe mirëpret të gjithë njerëzit e biznesit të suksesshëm në mërgatë që bashkë edhe me partnerët e tyre ndërkombëtarë të investojnë në Kosovë, me prioritet në prodhim të produkteve e shërbimeve të orientuara në eksport.
Ai bashkë me shefin e stafit të kryeministrit, Luan Dalipi takuan afaristin e suksesshëm kosovar në Gjermani, Burim Hazrolli, bashkë me zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss.
Sipas një njoftimi të Qeverisë, kompania e këtij afaristi merret në mes tjerash me prodhim të produkteve dhe ofrim të shërbimeve në sektorin e ndërtimtarisë, si dhe me menaxhim të patundshmërive në Gjermani dhe Kosovë.
Hazrolli punëson rreth 40 punëtorë në fabrikën e tij për prodhimin e dyerve dhe dritareve në Kosovë dhe mbi 90% të produkteve nga kjo fabrikë eksportohen në Gjermani. Ai ka vizion dhe plane konkrete për të sjellë investime tjera të reja në Kosovë, për ta shërbyer tregun gjerman, vendor dhe më gjerë.