Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka takuar Ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luxemburgut, Franz Fayot.
“Gjatë takimit u bisedua për raportet dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Luxemburgun si një nga kontribuesit kryesor në projekte zhvillimore e të cilat janë në dobi të qytetarëve të Kosovës. Në veçanti, Presidentja Osmani u falënderua për angazhimin e Luxemburgut për kontributin e pashoq në fushën e shëndetësisë ndër vite, si dhe në fushën e arsimit”, thuhet në njoftimin për media.
Ministri Fayot vlerësoi progresin e gjithëmbarshëm në Republikën e Kosovës, duke theksuar në veçanti angazhimin për luftim të korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë në drejtim të zhvillimit të kapitalit njerëzor, dhe diskutuan potencialin për investim në fushën e digjitalizimit, energjisë, si dhe në drejtim të mbledhjes dhe gjenerimit të të dhënave si parakusht për politikbërje më efektive.