Nazmi Hajredini, nga OVL-UÇPMB, ka thënë se si veteranë, gjithmonë janë shprehur kundër zgjedhjeve parlamentare serbe, meqë, sipas tyre, nuk po përfillen asnjëherë kërkesat që kanë.
Ai, në Info Magazine tha se kërkesat e tyre në Serbi shkelen madje në mënyrë sistematike.
”Ne si veteranë dhe si OVL-UÇPMB çdoherë, edhe në mandatet tjera, kemi qenë kundër zgjedhjeve parlamentare, pasi që e dimë mirë se në këto zgjedhje parlamentare nuk përfillen kërkesat tona legjitime”.
”Të drejtat tona shkelen në mënyrë sistematike, duke u nisur nga të gjitha, qoftë arsimi, shëndetësia, etj”.
Si i shihni ju ndasitë politike brenda shqiptarëve në këto situata?
”Po, edhe kjo ndodh çdo herë. Ndodhin çdo herë përçarjet mes partive politike, duke pasur ambicie bajraktarizmi dhe përfitime personale dhe politike dhe kjo ndodh çdo herë gati përveç mandatit të kaluar, që një trysni e Tiranës, e cila i bashkoi të gjithë liderët e partive politike dhe dolën me një listë të përbashkët, e cila triumfoi me tre deputetë në parlamentin serb”.
”Në fakt shqiptarët e Kosovës Lindore, shohin gjatë këtyre tri dekadave me përfaqësues tanë në parlamentin serb, ku asnjë e mirë nuk ka ardhur, asnjë kërkesë e vetme legjitime jetësore, nuk është pranuar nga ai parlament ta quaj ‘famëkeq, fashist, serb’ ”, ka thënë ai.
”Ne si përfaqësues të luftë dhe të OVL-së, jemi të anashkaluar, të injoruar nga subjektet politike pasi që mund të jetë edhe kjo e jona që jemi kundër integrimit drejt Beogradit. Çdo tendencë për integrimin drejt Beogradit, është antikombëtare dhe nuk i shërben çështjes tonë kombëtare”./Gazeta Enigma/