Partia Socialdemokrate përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se këtë të mërkurë do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryeministrit, Albin Kurti, për rastin e deklarimit të tij si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, PSD’ja ka bërë me dije se kallëzimi penal do të dorëzohet pranë Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“Sot, me datën 6 prill (e mërkurë), duke filluar nga ora 11:00, Partia Socialdemokrate do të dorëzoj kallëzim penal ndaj Albin Kurtit për rastin e deklarimit të tij si veteran i UÇK-së. Kallëzimi penal do të dorëzohet pranë Prokurorisë Themelore tek Pallati i Drejtësisë, Prishtinë”, thuhet në njoftim.
PSD’ja ka mbajtuar edhe një aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës, para disa ditësh.
Përmes një pankarte, kjo parti e ka quajtuar kryeministrin Albin Kurti veteran të rrejshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas PSD-së, Kurti është angazhuar në UÇK në gusht të vitit 1998 dhe ka dhënë dorëheqje prej saj më 2 mars 1999.
“Kurti është angazhuar në UÇK në gusht të vitit 1998 dhe ka dhënë dorëheqje prej saj më 2 mars 1999. Siç edhe e parasheh ligji, veteranë është personi që ka qëndruar deri në fundin e luftës së UÇK-së. Ne e dijmë që lufta ka përfunduar në qershor, pra 3 muaj pasi Kurti ka dhënë dorëheqje”, thuhet në njoftimin e PSD-së.
“Tutje aka kanë njoftuar se “po i njëjti ligj definon dhe dënimin që dikush e merr në rast falsifikimit të deklaratës së pjesëmarrjes në luftë. Ekzistojnë dëshmi materiale, me dokumente e deklarata, që tregojnë mashtrimin që Kurti ka bërë në mënyrë që të konsiderohet veteran i UÇK-së”./Gazeta Enigma/