Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se me datën 01.04.2022 ka pranuar raportin lidhur me rastin e Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
Ky institut ka konstatuar se objektet që u gjetën afër Astrit Deharit në momentin e vdekjes kanë përmbajtur vetëm profil të ADN-së së tij.
“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së për veç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në njoftim.
Ndërsa analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Deharit kanë treguar praninë e kafeines dhe mos prani të etanolit.
Në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se raporti do t’i dorëzohet familjes i përkthyer në gjuhën shqipe dhe atë frënge.
“Po ashtu, ju bëjmë me dije se gjatë ditës raporti i ekspertizës në gjuhë frënge dhe gjuhë shqipe do t’iu dorëzohet familjes Dehari dhe përfaqësuesit ligjor të familjes”, thuhet në njoftim.
“Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, Prokuroria njofton se hetimet do të vazhdojnë dhe lidhur me këtë rast do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Gjithashtu, Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti. /Gazeta Enigma/.