Sa herë që Atletico Madridi shfaqet në një ndeshje të madhe të Ligës së Kampionëve, duket se debati për stilin e lojës të ekipit spanjoll nuk përfundon kurrë.
Dueli i javës së kaluar me Manchester Cityn, u cilësua si një përplasje e ideologjive të futbollit nga shumë njerëz.
Atletico u mposht 1:0 nga City, falë golit të Kevin de Bruyne dhe nuk arriti të bëjë një goditje në të gjithë ndeshjen.
E kjo shkaktoi shumë diskutime duke pasur parasysh strukturën mbrojtëse të trajnerit Diego Simeone.
Duke folur për ndeshjen, për kanalin holandez “Ziggo Sport”, Marco van Basten ka shtuar emrin e tij në listën e kritikëve të stilit të lojës së Atleticos, raportoi “Diario AS” të martën. “Ajo që po bën Atletico Madridi është e ligjshme, është e lejuar, por më habit fakti që ka një ekip me dhjetë lojtarë që qëndrojnë pas topit për 90 minuta dhe përpiqen të shmangin pranimin e golit. Një organizatë futbolli si FIFA duhet të fillojë të mendojë për mënyrat që ta bëjë futbollin më argëtues. Me këtë stil futbolli të Atleticos, nuk ka kënaqësi”, ka thënë Van Basten.
Ish-sulmuesi i Holandës, ka qenë për një kohë drejtor teknik i FIFA-s.
Van Basten insistoi se njerëzit më përpara e shikojnë Netflixin sesa ekipin e Simeones në fushë.
“Do të kishte më shumë kuptim që dikush të ndryshonte kanalin dhe të shkonte për të parë Netflixin në kohën kur Atletico luan”, shtoi Van Basten.
Atletico luan të mërkurën mbrëma në stadiumin “Wanda Metropolitano” ndeshjen e kthimit kundër Manchester Cityt.