Pas deklarimeve të ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, se strukturat serbe të sigurisë kanë planifikuar vrasjen e tij, janë vënë në lëvizje institucionet e Kosovës.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se do të bashkëpunojnë me shtetin e Zvicrës për të kuptuar më shumë lidhur me pretendimin e Martyt.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani ka thënë se është kërkuar nga autoritetet përkatëse zivcërane që menjëherë të sigurojnë informacion zyrtar për rastin.
“Sapo është bërë publik lajmi për ish-senatorin Dick Marty, Presidentja Osmani ka kontaktuar me institucionet e sigurisë dhe ka kërkuar nga to që menjëherë të sigurojnë informacion zyrtar nga autoritetet zvicerane për planin e agjencive serbe të inteligjencës për ta eliminuar ish-senatorin zviceran Dick Marty në mënyrë që pastaj t’ia lënë fajin personave nga Kosova”, ka thënë ai.
Tutje ka theksuar se shkaku i ndjeshmërisë së rastit, Osmani nuk do të mund të deklarohet sërish pas pranimit të informatave zyrtare nga shteti zviceran.
Ndërkaq, Marty për mediat zvicerane ka thënë se ka 16 muaj që është nën mbrojtje të lartë policore, për shkak të kërcënimeve me jetë, të cilat, siç ka thënë, i vijnë nga “qarqe të caktuara të shërbimeve sekrete serbe”.
Ai ka akuzuar autoritetet zvicerane se “nuk kanë ndërmarrë asnjë hap apo veprim diplomatik me Beogradin”, në lidhje me situatën në të cilën është gjendur.
” Më 18 dhjetor, 2020, kam pranuar një telefonatë nga policia, e cila e ka njoftuar se është i rrezikuar dhe se do të vendoset nën mbrojtje të lartë policore.
Tutje ka shtuar se i është ofruar edhe ndryshimi i identitetit dhe adresës, porse nuk ka pranuar.
Kërcënimet me vdekje “kanë ardhur nga qarqe të caktuara të inteligjencës serbe”, të cilat, sipas tij, “u kanë kërkuar vrasësve të paguar nga nëntoka që ta likuidonin”, për t’i fajësuar më pas “shqiptarët nga Kosova”.
Megjithatë, Marty nuk ka ofruar asnjë provë për këto pretendime.
“U jam mirënjohës njerëzve që më ofrojnë mbrojtje, por është e qartë se kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Nuk ka të bëjë vetëm me mua. Të gjithë ata që janë në kërkim të së vërtetës, meritojnë jo vetëm mbrojtje, por edhe drejtësi”, ka thënë Marty në intervistë.
Dick Marty ka qenë autor i një raporti për Këshillin e Evropës, në vitin 2010, në të cilin ai ka dënuar krimet e supozuara të UÇK-së, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”.
Raporti është vërtetuar praktikisht me një raport të ri nga prokurori amerikan, Clint Williamson, në vitin 2014. Vitin pasues, më 2015, është formuar pastaj Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte në Kosovë.