E enjtja e 14 prillit shënon Ditën e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo datë ishte propozuar vitin e kaluar nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila përkon me ditën e rrëmbimit të Vasfije Krasniqit nga serbët, e para e mbijetuar e dhunës seksuale e cila ka folur publikisht për përjetimet dhe dhunën e shkaktuar.
Më 14 prill të vitit 1999, Vasfije Krasniqi u rrëmbye me forcë dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe.
Në nivl vendit, llogaritet se janë rreth 20 mijë të mbijetuar të dhunës seksuale, gra e burra.
Presidentja, Vjosa Osmani, këtë ditë, në orën 10:30 në oborrin e Kuvendit të Kosovës, së bashku me përfaqësueset e organizatave, të cilat përfaqësojnë interesin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjate luftës në Kosovë, do ta hapë ekspozitën e cila organizohet nga ajo për të ilustruar shpresat dhe nevojat e të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës në Kosovë, ku edhe do të ketë deklarim për media.
14 prilli, Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, shënohet nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës.