Anëtari serb i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, ka bërë të ditur se është shtyrë miratimi i dy ligjeve në Kuvendin e të ashtuquajturës Republika Sërpska që i kthejnë kompetencat në fushën e mbrojtjes dhe taksave nga shteti tek etniteti.
Ai tha se Gjermania kërkon anulimin e përfundimeve të arritura nga RS-ja, të cilat i referohen pezullimit të kompetencave të Bosnje Hercegovinës për ushtrinë dhe taksat indirekte.
“Logjika dikton që për shkak të rrethanave të reja t’i zgjasim edhe për gjashtë muaj ato punë. Nuk po nxitojmë askund, por mund të them që të gjitha dokumentet janë bërë dhe janë gati. Procedura është në pritje, por do ta përcaktojmë momentin”, ka thënë Dodik.
I pyetur nëse priste sanksione nga Gjermania, pas Amerikës dhe Britanisë së Madhe, të cilat e akuzuan për bashkëpunim me Moskën, Dodik tha se i shërben ekskluzivisht RS-së dhe popullit serb.
Dodik tha se do të pezullonte të gjitha projektet britanike dhe gjermane.
“Le të mendojnë në Berlin se çfarë do të thotë të kesh qëndrim të pjesshëm ndaj subjekteve. Ndoshta janë ata që na ndajnë më tej me një politikë të tillë”, tha Dodik.
Ai tha se perëndimi do të dëshironin që Bosnja të vendoste sanksione ndaj Rusisë, sipas tij, Rusia është garantuese e Marrëveshjes së Dejtonit, shkruan Klix.