Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi para senatorëve amerikanë se kontinenti evropian është nën kërcënim nga destabilizimi i Rusisë.
Tre senatorët amerikanë Chris Murphy, Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen, kanë ardhur në Kosovë nga Sarajeva, pasi kanë përfunduar vizitën në Beograd.
E pas takimit me ta, Osmani në konferencë për media bëri të ditur se i ka informuar edhe për “rolin destruktiv të Serbisë në rajon”.
“Nuk është sekret se rendi i sigurisë në Evropë është nën kërcënim. Ka pasur dhe ka interesim nga Rusia që ta destabilizojë kontinentin dhe rajonin tonë. I informova mysafirët tanë nga Senati i SHBA-së po ashtu për rolin destruktiv që Serbia po vazhdon ta luajë në rajonin tonë si aleat i Rusisë, si një përpjekje për ta tërhequr rajonin tonë drejt së kaluarës”, deklaroi ajo.
Por, Osmani pohoi se beson që këto ndikime do të ndalen nga populli i Kosovës për dy arsye.
“E para sepse ky është vullnet i popullit të Kosovës, si populli më pro amerikan dhe pro-NATO në botë.E dyta kam besim të plotë se kemi treguar deri më tani se kur punojmë së bashku me SHBA-të mund të arrijmë gjithçka”.
Presidentja tha do të punojnë edhe më tutje për ta forcuar demokracinë, teksa shtoi se Kosova është një ndër storiet më të mëdha të suksesit për ShBA-në.