Klubi Futbollistik “Feronikeli” edhe zyrtarisht është larguar nga Superliga e Kosovës në futboll.
“Industrialistët” ishin pjesë e Superligës që nga sezoni 2012/2013 ku u inkuadruan nga Liga e Parë, shkruan Gazeta Enigma.
Skuadra nga Drenasi gjatë këtyre dhjetë viteve ka qenë skuadra me më së shumti trofe të fituara.
“Tigrat e Zi” janë shpallur tri herë kampion të Kosovës, në sezonin 2014/15, 2015/16 dhe 2018/19.
Gjithashtu, kjo skuadër ka fituar edhe dy herë Kupën e Kosovës, në sezonin 2013/14 dhe 2014/15. Në sezonin 2014/15 skuadra e “Niklit” kishte kompletuar tripletën duke e marrë edhe Superkupën e Kosovës.
Me humbjen e sotme në shtëpi ndaj Llapit, skuadra e Niklit edhe matematikisht ka rënë në Ligën e Parë. Kujtojmë që kjo skuadër këtë sezon kishte pasur probleme të mëdha financiare pasi që Presidenti i Klubit, Naser Ramaj, ishte larguar dhe kësisoj ekipi ndeshjet është duke i vazhduar me futbollistët e rinj të akademisë.
Pas 30 ndeshjeve të luajtura, Feronikeli ka mbledhur vetëm 12 pikë.
/GAZETA ENIGMA/