Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim familjarët e viktimave të Masakrës së Paklekut, Teuta Elshanin, Fadil Muqollin dhe Xhavit Muqollin dhe profesorin Nusret Pllana, autor i librit “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se në këtë takim u diskutua për rëndësinë e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës dhe për rolin e rëndësishëm që Instituti për krimet e kryera gjatë luftës do të ketë në arritjen e këtij qëllimi.
Kurti tha se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen, dhe se na duhet që të gjithë, organizata e institucione shtetërore, shoqëria civile, hulumtues të pavarur, e ekspertët të jashtëm, të angazhohemi në dokumentimin dhe adresimin e tyre. /Gazeta Enigma/