Ballkani e ka fituar ndeshjen me rezultat zyrtar 0:3 ndaj Ulpianës, në takimin e vlefshëm për javën e 30-të, e cila për 90 minuta u mbyll baras 1:1.
Kështu ka vendosur Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Komisioni i Garave e miratoi si të bazuar ankesën e Ballkanit rreth parregullësisë në këtë ndeshje nga ana e Ulpianës.
Ulpiana e kishte aktivizuar në minutën e 80-të lojtarin Andi Arifin, i cili nuk ka qenë i regjistruar në protokollin zyrtar para fillimit të ndeshjes.
“MIRATOHET SI E BAZUAR – Ankesa e F.C. “Ballkani” nga Suhareka, dhe ndeshja e javës së 30-të e BKT Superligës së Kosovës ndërmjet K.F. “Ulpiana 1926” dhe F.C. “Ballkani” e përfunduar me rezultat 1:1, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të F.C. “Ballkani” nga Suhareka”, thuhet në raportin e lëshuar nga FFK-ja.
Kësisoj, Ballkani e rrit diferencën e pikëve në 11 me ndjekësit, Dritën dhe Gjilanin kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të kampionatit.