Aksidentet me fatalitet po vazhdojnë të marrin jetëra njerëzish. Shkaktarë të aksidenteve me fatalitet janë prej me të ndryshmeve, derisa njohësi i çështje të komunikacionit, Nol Dedaj ka përmendur disa prej tyre.
Sipas tij, aksidentet e mëdha ndodhin për shkak se shteti nuk ka asnjë veprim sa i përket sigurisë rrugore.
Ai tha se “është pikërisht ajo pse shteti nuk merr masa për parandalimin e këtyre aksidenteve.
“Nuk ka Këshill të Sigurisë, shteti nuk e ka ndërmend as krijimin e agjensioneve të cilat janë të domosdoshme për uljen e numrit të aksidenteve”, tha Dedaj për Gazetën Enigma.
Ai ndër të tjera theksoi se dhënia e patentë shoferëve është njëri nga elementet e faktorit edukativ ose të komunikacionit.
“Sa i përket patentë shoferit është vetëm njëri nga elementet e faktorit edukativ ose faktorit të komunikacionit në rrugë i cili sigurisht që e ka përqindjen e vet si shkaktar të aksidenteve. Pra, mosnjohja e elementeve të sigurisë rrugore”, tha ai.
Dedaj thotë se shteti duhet të krijojë edhe Institutin për hulumtim të aksidenteve.
“Reformat të cilat duhet t’i ndërmerr shteti duhet të krijohet edhe Instituti për hulumtimin e secilit aksident, elementet të cilat e kanë shkaktuar aksidentin pastaj të krijohet edhe agjensioni i cili duhet të marr masa preventive të rekomanduara nga Instituti”, shtoi Dedaj.
Analisti Dedaj thotë se këto reforma duhet të vendosura në strategjinë e sigurisë rrugore 10 vjeçar në mënyrë që ajo hap pas hapi të zbahtohet.
Kurse, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vitin e kaluar kanë ndodhur tri aksidente me fatalitet, ku kanë qenë të përfshirë persona të mitur.
Policia e Kosovës me njësitë e sajë ka njoftuar se në vazhdimësi ka ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në parandalimin e aksidenteve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
“Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, të ju përshtaten kushteve të rrugës si dhe të jenë shumë vigjilent”.
“Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet. PK-ja nga viti në vit ka shtuar masat edhe në rritjen e shqiptimit të gjobave ndaj atyre që kanë kryer kundërvajtje”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Kujtojmë që disa ditë më parë kanë ndodhur tri aksidente me fatalitet. /Gazeta Enigma/.