Lëvizja Vetëvendosje ka dalë sot me një kundërpërgjigje ndaj kërkesës së opozitës për formimin e një komisioni parlamentar që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe gjithë procesin përreth atij vendimi.
VV-ja ka propozuar themelimin e një komisioni që do ta hetonte çështjen e energjisë elektrike që prej para 16 vjetësh.
“Shumëçka nga ajo kohë nuk ka arritur të jetësohet. Andaj, rrethanat e trashëguara nga sektori i energjisë duhen hetuar nga vitit 2006”, thuhet në një komunikatë të partisë në pushtet.
“Grupi Parlamentar i LV, duke parë që demokracia në Kuvend është vënë në pikëpyetje nga opozita, dhe gjithashtu duke qenë në shërbim të opinionit dhe qytetarëve për zbardhjen e të vërtetës sa i përket vendimmarrjes në sektorin e energjisë, ka vendosur të procedojë kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë me të gjitha kërkesat që opozita tashmë i ka parashkruar por duke e zgjeruar fushëveprimin e këtij komisioni nga 2006 deri më 2022”, thuhet në komunikatë.
Kthimi në vitin 2006 për vlerësimin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë, grupi parlamentar i LV-së thotë se “është i rëndësishëm për shkak se në atë kohë Kosova ende pa e shpallur pavarësinë e saj është bërë pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë”.
“Në atë vit një mori iniciativash janë zhvilluar në këtë sektor. Prej shthurjes së KEK-ut deri te themelimi i KOST-it. Planifikimet për strategjinë për të ardhmen e sektorit të energjisë. Projektet gjeneruese. Strukturimi i brendshëm i energjisë dhe zbatimi i standardeve që burojnë nga Traktati”, thuhet në komunikatë.
LVV ka theksuar se “ligji për hetim parlamentar ka hyrë në fuqi në korrik 2010, atëherë kur LDK dhe PDK bashkëqeverisnin”.
Propozimi parapraki i opozitës për formimin e një komisioni hetimor për çështjen e rrymës është cilësuar “i palogjikshëm” nga LVV.
“Në dritën e kësaj situate, ne morëm nismën që ta ndihmojnë opozitën për të dalë nga kurthi ku ka rënë me këmbët e veta e s’po di si të dalë prej andej duke e dorëzuar sot kërkesën për komision hetimor parlamentar me shtrirje nga viti 2006 deri aktualisht dhe me zgjerimin e objektit për hetim”, thuhet në komunikatë, ku theksohet se këtë komision do ta kryesonte opozita.