I mbijetuari i masakrës së Mejës, Lush Krasniqi në emisionin Pressing ka treguar për ditën tragjike të 27 prillit 1999 ku u vranë 376 persona.
“Masakra e Mejës përfshin tre komuna. Në këtë masakër janë të dëmtuar banorët e tre komunave, Gjakovë, Junik e Deçan. Gravitojnë diku mbi 20 fshatra të këtyre tre komunave që kanë pësuar”, tha Krasniqi.
“Në orët e mëngjesit kemi dëgjuar krisma që për ne nuk ishin të befasishme, sepse në atë kohë nuk ishte çudi të dëgjoje krisma. Rreth orës 08:00 kemi parë tym nga djegia e shtëpive”, shpjegon ai.
“Ne si familje kemi qëndruar së bashku me disa familje pasi zona ku unë jetoj është shumë malore. Kemi qëndruar në shtëpi sepse nuk e dinim se çfarë po bëhej. Aty kemi qëndruar deri në orët e mbrëmjes, rreth perëndimit të diellit në shtëpitë tona. Pastaj jemi rrethuar nga ushtria jugosllave, kanë qenë njësi të policisë ushtarake, kanë qenë njësi e rregullt, s’kanë qenë të maskuar, kanë qenë me uniforma të rregullta dhe me hierarki të komandimit”, shtoi ai.
“Rreth orës 7 të mbrëmjes, më 27 prill ne na kanë rrethuar si familje. Kemi qenë rreth 50 anëtarë, edhe të familjeve të tjera. Kanë vrarë një fqinj timin, Pjetër Marashin, i cili ka rastis të jetë mysafir tek ne. Ai kur i pa forcat ushtarake iku sepse ai ishte i vetëm, e ne ishim me familje dhe s’kishim mundësi të largoheshim”, tha Krasniqi.
“Njësitet ushtarake atë natë kanë fjetur në shtëpitë tona. Nuk kanë lëvizur natën”, tregon Krasniqi.