Rusia sulmoi sot pjesën perëndimore të Kievit me dy raketa gjigante, derisa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në ato momente ishte në një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në kryeqytetin e Ukrainës.
Dy shpërthime të fuqishme shkundën sot Kievin, pasi që Guterres vizitoi vendin ku ishin kryer masakrat si dhe ato ku gjendeshin varrezat masive në periferi të kryeqytetit – me ç’rast u takua me Zelenskyn.
Këshilltari i presidentit ukrainas Mihaill Podolyak, ka pyetur nëse ky veprim mund të konsiderohet si një “kartolinë urimi nga Moska”.
Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, e ka quajtur bombardimin sulm mbi “sigurinë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe sigurinë botërore”.
Kohë më parë vizitë Ukrainës i kishin bërë liderë tjerë perëndimorë, siç ishte kryeministri britanik Boris Johnson dhe Sekretarët amerikanë Antony Blinken dhe Lloyd Austin, por se asokohe nuk ka pasur sulme nga ana e ushtrisë ruse.