“NATO-ja është e gatshme të vazhdojë për vite mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër Rusisë, duke përfshirë edhe ndihmën ndaj Kievit që të zëvendësojë armët e periudhës sovjetike me sisteme moderne armatimi, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i aleancës”, Jens Stoltenberg.
Ai i ka bërë këto deklarata pasi Kremlini ka paralajmëruar se dërgesat e armëve të Perëndimit në Ukrainë, duke përfshirë armë të rënda, përbëjnë kërcënim për sigurinë në kontinentin evropian dhe “krijojnë jostabilitet”.
“Neve na duhet të përgatitemi për periudhë afatgjatë”, ka thënë Stolteneberg më 28 prill para një samiti për të rinjtë në Bruksel.
“Ka mundësi që kjo luftë të vazhdojë për muaj dhe vite”.
Shefi i NATO-s ka thënë se Perëndimi do të vazhdojë të bëjë presion maksimal ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, përmes sanksioneve dhe ndihmës ushtarake për Kievin, për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës.
Moska e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Shtetet e NATO-s i kanë dërguar deri më tani Ukrainës armë të periudhës sovjetike, të cilat kanë qenë nëpër vendet anëtare të Evropës Lindore, ndonëse së fundi Shtetet e Bashkuara dhe disa vende aleate kanë nisur t’i dërgojnë Kievit edhe armë moderne.
Gjermania ka bërë të ditur gjatë javës se po ashtu do të dërgojë tanke dhe armë tjera, duke shënuar kështu herën e parë që Berlini është pajtuar për të dërguar armë të rënda në Kiev.
Thirrjet e Ukrainës për më shumë armë janë rritur prej kur Moska ka nisur ofensivën në rajonin lindor të Donbasit.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 29 prill se “Beteja për Donbasin” mbetet fokusi kryesor strategjik i Rusisë, në mënyrë që të fitojë kontrollin e rajoneve Donjeck dhe Luhansk.
Për shkak të rezistencës së madhe ukrainase, fitoret ruse kanë qenë të kufizuara dhe u kanë kushtuar forcave ruse, ka thënë mes tjerash Ministria.
Perëndimi beson se beteja në qytetin e rrethuar të Mariupolit dhe zonat tjera në lindje mund të jenë vendimtare për rezultatin e luftës.
Sulmet e Moskës në lindje kanë nxitur premtime të reja amerikane për ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka kërkuar Kongresit amerikan 33 miliardë dollarë si mbështetje për Kievin, ku 20 miliardë dollarë do të ndahen për armë, municion dhe ndihmë tjetër ushtarake.
“Duhet të miratohet kjo kërkesë për ta ndihmuar Ukrainën në luftën e saj për liri”, ka thënë Biden.
“Çmimi i kësaj lufte nuk është i lirë, mirëpo përfshirja në agresion është më e kushtueshme”.
Si pasojë e luftës në Ukrainë, mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi pesë milionë të tjerë kanë ikur nga shteti.
Uashingtoni, i cili bashkë me aleatët ka vendosur sanksione ndaj Moskës, shpreson t’iu ndihmojë forcave ukrainase, që jo vetëm të ndalin sulmet e Rusisë në lindje, por edhe të dobësojnë ushtrinë e saj, në mënyrë që të mos nisë konflikte me vendet fqinje.
Rusia ka thënë se NATO-ja, me veprimet e veta, është duke u përfshirë në luftë në mënyrë të tërthortë dhe ka bërë disa kërcënime këtë javë për hakmarrje të paspecifikuara.
Më 27 prill, autoritetet ruse kanë ndërprerë furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, duke thënë se ato kanë refuzuar të paguajnë në rubla.
Ky veprim shënon përgjigjen më të ashpër të Moskës ndaj sanksioneve ekonomike të Perëndimit.