Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka kujtuar 1 majin e vitit 1990, shkruan Gazeta “Enigma”.
Rasosaj me këtë rast ka kujtuar Kuvendin e pajtimit “VEPRAT E LLUKËS” që ishte mbajtur 32 vite më pare.
“32 vite më parë, më 1 maj 1990, u mbajt Kuvendi madhështorë i pajtimit te “VERRAT E LLUKËS” në Llukë të Epërme!”, ka shkruar ai.
Përmes këtij postimi Ramosaj ka theksuar se ky kuvend ishte vazhdimësi e disa kuvendeve të mëparshme po të këtij vendi.
“Ky kuvend, i cili ishte vazhdimësi e disa kuvendeve të mëparshme historike të organizuara pikërisht në këtë vend, por kësaj radhe me praninë e mbi gjysmë milioni shqiptarë nga gjitha trojet etnike, jo që do mbetet në histori si kuvendi më i madh në historinë tonë kombëtare, por ishte edhe pikë kthese e bashkimit dhe unifikimit të shqiptarëve në luftën për liri e pavarësi!”, thuhet në postimin e tij.
Tutje ai ka shtuar se protagonistët e kësaj ngjarjeje do ti kujtojmë gjithmonë.
“Sot, kujtojmë me respekt gjithë protagonistët e këtij kuvendi dhe kësaj lëvizje gjithëkombëtare, të filluar nga rinia studentore e kohës në Lumbardh të Deçanit, për të vazhduar në gjithë teritorin e Kosovës, më në krye atdhetarët dhe veprimtarët e mëdhenj prof.Anton Çeta, prof.Zekria Cana, klerë fetarë, intelektual, atdhetar e veprimtarë tjerë, e që kulmoj në tubimin më të madh që mbanë mend historia shqiptare dhe më gjerë, më 1 maj 1990 tek “VERRAT E LLUKES” në Llukë të Epërme!”, ka shkruar Ramosaj.
Ramosaj falënderim të veçantë ka shprehur për të gjitha familjet që shtrinë dorën e pajtimit.
“Sot, nderojmë me respektin më të lartë, gjitha familjet që shtrinë dorën e pajtimit, duke lënë anash ngatërresat, gjakmarrjen e vëlla vrasjen, dhe u bënë bashkë dhe bashkë u vunë në ballë të luftës për liri, e cila u kurorëzua me luftën e lavdishme të UÇK-së, që pasoj me lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë!”, ka theksuar ai.
Sipas Ramosaj “kjo datë dhe kjo ngjarje, na bënë krenar me historinë dhe lavdinë e vendit tonë, të komunës sonë, të bashkëvendasëve tonë dhe akoma më shumë, na bënë krenar me madhështinë e shpirtit dhe zemrës së Kombit tonë”.
“Nderim dhe respekt i përjetshëm për lëvizjen gjithëpopullore të pajtimit të gjaqeve dhe Kuvendit historik të “VERRAVE TË LLUKËS”!”, ka përfunduar Ramosaj./Gazeta Enigma/