Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook pa përtes edhe një herë ka kujtuar për punët që ai ka bërë në qeverisjen e tij, shkruan Gazeta “Enigma”.
Qysh në fillim të këtij postimi ai përmend faktin e 4 mijë grave të punësuara, tutje ai kujton se mbi 1 mijë punëtor u rikthyen në punë pas humbjes së vendit të punës gjatë pandemisë.
Përveç kësaj Kurti ka kujtuar edhe rritjen e pagës minimale, ku ka theksuar se nga kjo rritje kanë përfituar rreth 100 mijë punëtorë.
“4,000 gra të punësuara. Në 1 Maj, Ditën e të Drejtave të Punëtorëve e përditë përpjekja vazhdon. Prerje e qartë dhe kthesë e madhe për historinë e padrejtësive nga e kaluara. Për këtë u angazhuam në këtë një vit qeverisje. Në të gjitha fushat, e sidomos në të drejtën për punë e punësim të dinjitetshëm”, thuhet në postimin e tij.
Tutje ai ka shtuar se “e filluam me sigurimin e kushteve që mundësojnë e lehtësojnë krijimin e vendeve të reja të punës, e që përafrojnë tregun e punës me arsimin professional”.
“Pas 11 vitesh i hapëm rrugë ngritjes së pagës minimale. Miratuam në Qeveri e dërguam në Kuvend projektligjin për pagën minimale. Pra, rritje e pagës minimale për të gjithë në 264 euro bruto e 250 neto, nga 130 euro e 170 euro sa ishte. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë. Ky projektligj mundëson edhe heqjen e shkallës së parë tatimore për tatimin në të ardhurat personale. Paga prej 250 euro nuk do të tatohet, ashtu siç edhe kishim premtuar. Ndikimi nga lirimi prej shkallës së parë tatimore kap vlerën prej 16 milionë euro, dhe prekë afër 300 mijë punëtorë të Republikës”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit punësimin përveç formave tjera është mbështetur edhe nga Pako e Ringjalljes Ekonomike.
“Punësimin e mbështetëm edhe me Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Mbi 1,000 punëtorë u rikthyen në punë pas humbjes së vendit të punës gjatë pandemisë. Mbi 4,000 punëtorë, burra e gra përfituan nga mbështetja e punëtorëve të formalizuar, e mbi 4,000 gra përfituan nga masa për mbështetjen për punësimin e grave”, ka theksuar ai.
Kurti tutje ka theksuar se mbështetje shtesë kanë ofruar si për sektorin publikë po ashtu edhe për atë privat.
“Mbështetje shtesë për punëtorët e sektorit publik dhe privat me shumën e njëhershme prej 100 euro. Rreth 80,000 punonjës të sektorit publik kanë përfituar, e në sektorin privat do të përfitojnë rreth 300 mijë punëtorë”.
Nuk mbetet pa u përmendur edhe fakti se vitin 2022 është shpallur viti I personave me aftësi të kufizuara.
“Për të mos lënë askënd prapa e për mundësi të barabarta, vitin 2022 e kemi shpallur vit të personave me aftësi të kufizuar. Që kjo kategori e shoqërisë të aftësohet për punë dhe të punësohet, kemi masën e përkrahjes me 170 euro për të trajnuarin dhe me 100 euro biznesin ku mbahet trajnimi. Në rastet kur nga trajnimi pason punësimi, do të subvencionojmë pagën e të punësuarit me 270 euro”, ka shkruar Kurti.
“Formalizimi i vendeve të punës ishte premtim i yni. Kemi ndërmarrë hapa konkret në realizimin e tij. Nëpërmjet vjegëzës elektronike të gjithë punëtorët mund të verifikojnë nëse janë të deklaruar nga punëdhënësi i tyre. Mjafton të vendoset numri personal në formular. Po aty mund të parashtrojnë ankesë për punëdhënësin në Administratën Tatimore të Kosovës, në rastet kur nuk janë deklaruar nga punëdhënësit”, ka deklaruar ai.
Tutje Kurti ka shtuar se “për t’ua lehtësuar barrën administrative bizneseve në deklarimin e punëtorëve, kemi publikuar format e kontratave të punës për kohë të caktuar, për shërbime të veçanta dhe për kohë të pacaktuar. Si rezultat i këtyre hapave në vitin 2021 kemi zyrtarizuar mbi 10,000 vende pune, teksa gjithsej janë hapur mbi 25,000 vende të reja pune”.
Kryeministri Kurti ka theksuar se “për trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve, jemi duke punuar për Projektligjin e punës dhe Projektligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë”.
Kurti ka kujtuar se janë duke punuar edhe për zbutjen e shkallës së papunësisë në vendin tonë.
“Në Republikën tonë kemi fuqi punëtore të re dhe të talentuar. Për zbutjen e shkallës së papunësisë në mesin e të rinjve, jemi duke punuar në Skemën e Punësimit të Garantuar për të Rinj. Shumë shpejtë do të lansojmë platformën për këtë skemë”, thuhet në postimin e tij.
Tutje ai ka theksuar se kanë ulur për 40% tarifat e përmbaruesve privat.
“Jemi duke ndarë shtesa për nënat lehona dhe fëmijët duke lëvizur në vazhdimësi për të përfshirë më shumë gjenerata. Kemi rritur pensionet dhe pagesat për familjet që jetojnë me asistencë sociale dhe jemi kujdesur që lëvizjen e çmimeve ta kalojnë më lehtë. Arsimin publik e kemi bërë falas duke ndarë shtesa për studentët. Kemi ulur për 40% tarifat e përmbaruesve privat. Kemi fuqizuar gratë dhe vajzat duke synuar përfshirje sa më të barabartë të tyre nëpër institucione dhe duke ju ndarë bursa për shkollim. Kemi miratuar strategjinë kombëtare për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna. Jemi kujdesur që strehimoret të mbeten të hapura e të qasshme për gratë që përjetojnë dhunë në familje”.
Ai ka përmendur edhe faktin që gjatë qeverisjes së tyre i kanë dhënë prioritet Arsimit dhe Aftësimit Profesional.
“Raportimet zyrtare për papunësi të madhe në vend e kanë prapa një paradoks. Bizneset, industria nuk po arrijnë t’i plotësojnë vendet e lira të punës me punëtorë të kualifikuar shkaku i mungesës së tyre. Ky ka qenë sinjal që në qeverisjen tonë t’i japim prioritet Arsimit dhe Aftësimit Profesional. Për këtë qëllim kemi themeluar Komisionin Ekzekutiv për bashkërenditje më të mirë ndërinstitucionale dhe për dialog me të gjithë akterët relevantë për zbatimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional”.
Tutje ai ka thënë se “na pret shumë punë në arritjen e plotë të objektivit tonë për më shumë drejtësi e punësim”.
“Përgjatë një viti qeverisje kemi bërë edhe shumë punë të tjera për burrat dhe gratë punëtore por përherë mbetet hapësirë për të bërë më shumë. Mes efekteve të pandemisë dhe të luftës në Ukrainë që po e ndikon mbarë botën e sidomos Evropën, kemi bërë çmos që pjesët më të ndjeshme të shoqërisë tonë të preken sa më pak e ta përballojnë sa më lehtë këtë krizë të dyfishtë”, është shprehur ai.
“Bashkërisht, qeveria, arsimi, bizneset duhet t’i lidhin dijen dhe punën, që të rrisim vlerën dhe përvojën. Vlerën e mallit e shërbimeve dhe përvojën e punëtorit. Që të kemi edhe qytetarë më të mirë të Republikës, por edhe kontribuues për shoqërinë, për këtë brez dhe brezat që do të vijnë pas nesh”, ka përfunduar kryeministri Kurti./Gazeta Enigma/