Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Christine Lambrecht, në takimin e sotëm kanë diskutuar për vazhdimin e mbështetjes së Kosovës drejtë anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe për liberalizim të vizave.
Këtë e ka bërë të ditur shefi i Qeverisë në një konferencë për medie së bashku me ministren Lambrecht, me ç’rast ka thënë se ndihma e Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës është e madhe.
Ai ka thënë se në këtë takim është biseduar edhe për dialogun me Serbinë, duke vënë në theks njohjen reciproke për të sjellë normalizim të marrëdhënieve.
“Vizitat e ndërsjellta rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona dhe janë mundësi e thellimit të miqësisë. Gjermania jo vetëm që është aleat i joni por edhe shtëpia e mijërave shqiptarë. Gjermania ka dhënë kontribut të çmuar për çlirimin, pavarësimin e shtetit të Kosovës dhe u ka hapur dyert mijëra shqiptarëve. Biseduam edhe për aplikimin në shumë organizata ndërkombëtare dhe për liberlaizimin e vizave”.
“Dialogu duhet të jetë parimor për të sjellë normalizim të marrëdhënieve dhe një marrëveshje ligjerisht të obligueshme e që ka njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Kurti./Gazeta Enigma/