Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka vizituar kampin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Babaj të Bokës të Komunës së Gjakovës, ku momentalisht po mbahet ushtrimi “Iron Support”, shkruan Gazeta Enigma.
Njoftimi është bërë përmes një komunikate për media, ku thuhet se ministri Mehaj ka vlerësuar lart angazhimin, vullnetin dhe profesionalizmin e ushtarakëve në realizimin e detyrave./ GazetaEnigma
Njoftimi i plotë:
Ministri Mehaj vizitoi pjesëtarët e FSK-së në Babaj të Bokës
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka vizituar kampin e FSK-së në Babaj të Bokës të komunës së Gjakovës, ku po mbahet ushtrimi fushor “Iron Support”. Me këtë rast, është duke u bërë testimi i kapaciteteve të kompanisë mbështetëse të Regjimentit të parë të Këmbësorisë për “Defender 2023”.
Ministri Mehaj ka parë për së afërmi rrjedhën e këtij ushtrimi fushor, furnizimet, vështirësitë dhe kushtet e përgjithshme të qëndrimit në natyrë.
Ai vlerësoi lart angazhimin, vullnetin dhe profesionalizmin e ushtarakëve në realizimin e detyrave në këtë ushtrim fushor, ku po marrin pjesë 122 pjesëtarë me 35 automjete.
Ushtrimi fushor “Iron Support” ka filluar në Gjilan, më datë 26 prill, kurse prej datës 4 deri më 10 maj është faza e ekzekutimit. Me këtë rast po demonstrohen aftësitë e mbështetjes logjistike si: furnizim, transport, si dhe aftësitë e mirëmbajtjes.