Analisti gjerman dhe eksperti i “Democratization Policy Council”, Bodo Weber, në një intervistë ka folur lidhur me takimet në Berlin dhe për atë se çfarë prodhoi darka joformale në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe kreut të shtetit serb, Aleksander Vucic, që u ndërmjetësua nga emisari sllovak, Miroslav Lajcak e që ishte aranzhuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Weber thotë se bazuar nga faktin që s’kishte një komunikatë të përbashkët pas takimit, tregon që nuk kishte një rezultat të menjëhershëm.
Megjithatë eksperti gjerman i DPC-së thotë se duhet pritur përfundimisht rrjedhën e negociatave të 13 majit që të shihet nëse diskutimet në Berlin kanë prodhuar ndonjë progres sado të vogël, që do të ndihmonte zhbllokimin e dialogut.
“Që të paktën do të sillte një marrëveshje në çështjen e tabelave”, ka thënë Weber.
Weber thotë se ftesa e Scholz për takimin në Berlin dhe turi disa ditor i kryediplomates gjermane, Annalena Baerbock, në Ballkanin Perëndimor tregon një ripërtëritje të interesit për të ringjallur politikën e zgjerimit drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor, megjithatë eksperti gjerman thotë se ende nuk jemi në fazën e përfshirjes serioze të Gjermanisë në proces.
Pa një përfshirje serioze të Gjermanisë në procesin e negociatave, Weber thotë se s’do të ketë progres real ne negociata, e për të ndodhur një gjë e tillë thekson se duhet plotësohen disa parakushte: zhbllokimi i politikës së zgjerimit nga Franca dhe një politikë të re serioze karshi Serbisë.
“Unë mendoj se ajo çfarë ky format ka treguar, përderisa qeveria gjermane e ka bër të ditur, dhe më pas u demonstrua edhe me turneun rajonal në Ballkanin Perëndimor të ministres së Jashtme Baerbock dhe ftesën e kancelarit Scholz këtë javë, ka rinuar interesin për të ringjallur politikën e zgjerimit drejt rajonit, ne nuk jemi ende ne atë fazë ku Berlini është angazhuar në një resetim më serioz të negociatave, pa të cilin, unë mbes i bindur, se nuk do të jetë i mundur progresi real. Në të njëjtën kohë, për ta arritur këtë gjë duhen të plotësohen disa parakushte, ndër to zhbllokimi i politikës së zgjerimit të BE-së nga Franca dhe një numër më i vogël i vendeve të tjera anëtare të BE-së dhe një politikë e re serioze ndaj Serbisë”, ka thënë Weber.
Bodo Weber në këtë intervistë ka folur edhe për atë se nëse duhet BE-ja të mendoj për zëvendësimin e Miroslav Lajcak si emisar për dialogun, në rast se s’do të ketë marrëveshje për targat më 13 maj për targat dhe nëse Lajcak do të dështoj të organizojë një takim të radhës Kurti-Vucic në Bruksel.
Analisti gjerman thekson se vendimi për emërimin e Lajcakut si emisar ka treguar mungesën e seriozitetit të BE-së dhe një pjesë të politikës së Perëndimit, megjithatë thotë se as zëvendësimi i tij s’do të përkthehej në rezultat konkret. Sipas Weber, duhet përfshirje në proces e niveleve më të lartë të politikës nga tandemi Berlin-Washington.
“Përderisa unë mbetem i bindur që emërimi i z. Lajcak në radhë të parë ishte rezultat i mungesës së seriozitetit të BE-së dhe politikës strategjike të një pjesë të madhe të Perëndimit drejt rajonit, dhe më konkretisht për dialogun Kosovë-Serbi, zëvendësimi i z.Lajcak nuk do të sillte ndonjë progres serioz. Ne kemi nevojë për një ringjallje serioze dhe rimendim të politikës së zgjerimit, një politikë konsistente ndaj Serbisë dhe në bazë të tyre një rivendosje serioze, e nivelit të lartë të negociatave Kosovë-Serbi, të iniciuara nga nivelet më të larta në Berlin dhe Uashington”, ka thënë Weber për Express.
Në fund Weber ka folur edhe për politikën amerikane karshi negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se më atë çfarë ka parë deri tani nuk rezulton në ndonjë angazhim serioz të Washingtonit.
Weber thotë se në vitin e parë të pushtetit të Joe Biden, dialogu iu la një rangu shumë të ulët të zyrtarëve, derisa thotë se s’sheh asnjë shenjë që kjo mund të ndryshojë, madje as pas ngjarjeve në Ukrainë.
“Gjatë vitit të parë në detyrë të administratës Biden ajo që pamë është mungesa e ndonjë angazhimi serioz në Ballkanin Perëndimor, duke ia lënë politikën zyrtarëve të administratës së nivelit më të ulët. Dikush mund të shpresojë se kjo do të ndryshojë me fokusin e ri në Evropë që nga pushtimi rus në Ukrainë, por deri më tani nuk shoh asnjë shenjë të një ndryshimi më serioz të politikës”, ka përfunduar Weber. / Gazeta Enigma.