Dokumente – Ramush Haradinaj investitor i ri i Brezovicës

Dokumente – Ramush Haradinaj investitor i ri i Brezovicës

Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka blerë disa prona në Komunën e Shtërpcës, ku ndodhet edhe Qendra e Skijimit – Brezovica.

Instituti për Hulumtime “Front” posedon disa dokumente zyrtare, të cilat dëshmojnë se ish-shefi i Qeverisë së Kosovës ka disa parcela në bashkëpronësi në Komunën e Shtërpcës, përkatësisht 2100 metra katror.

Instituti “Front” ka kërkuar shpjegime rreth kësaj çështjeje, mirëpo nga kabineti i Haradinajt kanë thënë se të gjitha informatat për pasurinë e tij janë publike në deklarimet e pasurisë që ai i ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ata nuk kanë dhënë përgjigje konkrete në pyetjet e parashtruara.

“Të gjitha përgjigjet për këto pyetje, i gjeni në deklarimin vjetor të pasurisë së z. Haradinaj”, thuhet në përgjigjen që i ka kthyer kabineti i Haradinajt Institutit “Front”.

Përndryshe, në formularët e deklarimit të pasurisë për vitin 2021 në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, Haradinaj ka deklaruar pasuri të patundshme në vlere prej 1 milion euro.

Në listën e gjatë të pasurisë së paluajtshme të Haradinajt përfshihet një shtëpi banimi prej 950 metrash katror në Prishtinë në vlerë prej 300 mijë euro, shtëpi familjare të përbashkët në Gllogjan në vlerë prej 270 mijë euro, tokë kodrinore 200 hektarë të privatizuar për 75 mijë euro, apo 3.75 € metrin katror të blerë nga Agjencia e Privatizimit, 21 ari truall në vlerë prej 27 mijë euro, shtëpi banimi me sipërfaqe prej 500 metrash katror në vlerë prej 202 mijë euro, apartament në vlerë prej 70 mijë euro dhe një vilë malore prej 120 mijë euro, por e paprecizuar se në ku ndodhet e njëjta.

Related Articles