“Lojtarët kanë mbetur si jetimë” – Akuza e kundërakuza për situatën në FC Prishtina

“Lojtarët kanë mbetur si jetimë” – Akuza e kundërakuza për situatën në FC Prishtina

Drejtori i Prishtinës, Artan Osmani, i ka akuzuar lojtarët për mos angazhim pas humbjes nga Drita 0:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” të dielën e 15 majit.

Ndonëse klubi ua ka katër paga futbollistëve borxh, Osmani gishtin e ka drejtuar nga futbollistët bardhëkaltër.

“Fajtor kryesor janë lojtarët me shtabin teknik”, ka qenë i prerë Osmani në emisionin Kampionët në Kanal 10.

Sipas tij, “kësaj here kanë luajtur për veti, jo për neve dhe Prishtinën”.

“Nëse duan të transferohen si lojtarë që e kanë qitë klubin prej ligës, urime ju koftë”, ka shtuar tutje Osmani.

Po ashtu, ai ka treguar se lojtarët kanë refuzuar të dalin në stërvitje me ish-trajnerin boshnjak, Abdulah Ibrakovic.

FC Prishtina dhe trajneri nga Bosnje e Hercegovina, Abdulah Ibrakovic e kanë ndërprerë bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme.

Por, kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku, ka theksuar se problemi i fundit janë lojtarët, teksa ka treguar se mungojnë kushtet elementare për futbollistët.

“Në Prishtinë nuk kemi as ku vishemi sepse është rrezik me marrë ndonjë sëmundje. Problemi i fundit është tek lojtarët, Me gjithë këto probleme po mundemi me ia dalë”, ka potencuar Boshnjaku.

Ndërkaq rreth akuzave se transferimet e Prishtinës kanë qenë të dështuara, ish-drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli ka potencuar se lojtaret aktual kanë kualitet.

Madje, Kërçeli tregoi se Prishtina edhe më herët ka pasur probleme financiare.

“Nuk janë transferime të dështuar, ata kanë treguar që kanë kualitet dhe janë kampion me shumë ekipe. Me këta futbollistë Prishtina është bërë kampion”, pohoi ai.

“Edhe në atë kohë i kemi probleme, por fjala bojkot nuk ka ekzistuar. “Kur jemi bërë kampion kemi qenë katër rroga minus”.

Kur e ka komentuar gjendjen aktuale të klubit, ai ka thënë se “tash futbollistët janë si jetimë”.

Ndryshe, Prishtina pas humbjes nga Drita është vetëm një pikë larg barazhit, derisa ka mbetur të zhvillohet vetëm edhe një ndeshje.

Prishtina ka grumbulluar 48 pikë dhe renditet e gjashta në BTK Superligën e Kosovës.

Related Articles