Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka befasuar me një takim me arç-nemesisin e Jean-Claude Van Damme-it, aktorin shqiptar, Pjetër Malotën.
Takimin e bëri të ditur vetë aktori në llogarinë e tij në Facebook, ku përmes fotografive shihet se kryeministri ka qenë në shoqërimin e tij.
Kurti ndonëse nuk ka befasuar me ndonjë vizitë të nivelit të lartë politik në turneun e tij në Shtete të Bashkuara të Amerikës, takimi me Malotën i rezultoi i këndshëm.
Malota njihet gjerësisht për filmat e tij me Jean-Claude Van Damme, si një vrasës me aftësi të mëdha shqelmuese, të rregulluara me thika të mprehta në këpucë, e që përbënte karakteristikat më të posaçme të rolit të tij në betejën me Van Damme-in.
Viteve 90-ta kur shqiptarët nuk kishin pothuajse fare prezencë në filmat e industrisë amerikane, një rol i shkurtës i Malotës kishte ekzaltuar të gjithë.
Në filmin e vitit 1996 “The Quest” Malota, si zakonisht, paraqitet në rolin e kundërshtarit të Van Damme. Në veshjen e tij, në pjesën e brezit, ai kishte të stampuar një simbol që paraqiste flamurin shqiptar.
Malota, si gjithmonë, mposhtet në film, por për shqiptarët mjaftonte që u rrah denjësisht me të pamposhturin Van Damme. Tek e fundit, askush s’mund ta mposhte Van Dammen, por mjaftonte që një shqiptar e shqelmoi disa herë në fytyrë.
Malota edhe një herë tjetër kishte ndarë skenën me super yllin e filmave aksion. Në filmin “Double Impact” të vitit 1991, ai në rolin e një truproje ndeshet me protagonistin.
Truku i Malotës në film dhe fuqia e tij vinte nga kombinimi i lëvizjeve në errësirë. Derisa skena është e errët ai korrë sukses të jashtëzakonshëm. Por, si gjithmonë, Van Damme gjen një mënyrë për të fituar. Ai, thyen një pjesë të murit dhe nga aty futet drita. I ekspozuar tashmë, disfata e Malotës është çështje kohe. Në dritë, Van Damme shpejtë kryen punë.
Malota rastin më të mirë për hakmarrje kundër Van Damme-s e kishte në vitin 2001, në filmin “The Order”.
Fati (regjisori) përsëri i përballë këta të dy. Malota edhe në këtë rast paraqitjen e ka dinjitoze. Madje në disa raste e godet far keq Van Damme-n, por pas pothuajse dy minutash luftë të ashpër, kryesisht me “High Kick”, Malota pranon një shqelm të fuqishëm dhe përfundon i ngulur në një copë metali.
Malota pos filmave me Van Damme ka një karrierë të gjatë si stunter i betejave.
Kryeministri Albin Kurti është në një udhëtim të gjatë në Shtete të Bashkuara të Amerikës, dhe do të qëndrojë edhe nëntë ditë tjera.
Deri më tani, takimi me Malotën, është më mbresëlënësi.
Në anën tjetër, Kurti është kritikuar për nivelin e ulët të takimeve në ShBA, ku para disa dite opozitari Ramush Haradinaj u prit në Departamentin Amerikan të Shtetit, por jo edhe ai vet.
Kurti këtë vizitë të tij të gjatë e kishte lajmëruar muaj më parë, por se në njoftimin e tij ai kishte thënë se do të takohej edhe me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan, dhe e kishte proklamuar me pompozitet. Gjë që nuk ka qenë rasti deri më tani.