Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Speciale e konsideron të bazuar ndaj dy krerëve të Organizatës së Vetëranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
FDHK kërkon nga Gjykata Speciale që të zgjerohen hetimet ndaj personave prej të cilëve mund të kenë rrjedhur dokumentet e kësaj gjykate.
Në reagimin e kësaj organizate thuhet se veprimet e tilla duhet të parandalohen pasi që e rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre, ndikojnë në zvogëlimin e besimit dhe kredibilitetit të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.
“Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) e konsideron të bazuar vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe kërkon që hetimet të zgjerohen edhe ndaj personave prej të cilëve kanë rrjedhur këto materiale. Veprimet e tilla duhet të parandalohen pasi që e rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre, ndikojnë në zvogëlimin e besimit dhe kredibilitetit të DHSK dhe mund të kenë ndikim tek dëshmitarët që të ndërprenë bashkëpunimin me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (DHSK&ZPS)”.
“Dëshmitarët dhe viktimat në procedurën penale duhet të ndjehen të sigurtë që të dëshmojnë pranë organeve të drejtësisë mbi ato se çfarë dinë apo çfarë kanë përjetuar me qëllim të ndriçimit të së vërtetës dhe arritjen e drejtësisë. Ky vendim duhet të krijojë një ambient të sigurt për dëshmitarët dhe viktimat si dhe mund të ndikojë në vetëdijesimin e personave të cilët potencialisht mund ta pengojnë administrimin e drejtësisë”.
Sot Gjykata Speciale e Hagës i ka dënuar me 4 vjet e gjysmë dhe me nga 100 euro, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.