Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, i ka reaguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili e mbrojti iniciativën e Ballkanit të Hapur në kundërpërgjigje ndaj deklaratave kundër që dolën nga Prishtina, nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, raporton Gazeta Express.
Rama tha se “kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit!”, ndërsa theksoi se “Ballkani i Hapur nuk do të ndalet”.
Poshtë këtyre fjalëve është kundërpërgjigjur Zulfaj.
“Procesi Berlinit përshpejtohet në iniciativat që ndodhin brenda këtij procesi ku janë gjashtë shtetet anëtare, jo jashtë tij”, ka shkruar ai.
Fjalët e Zulfajt i ka shpërndarë edhe këshilltarja tjetër e kryeministrit, Fëllënza Podrimja.
. https://t.co/igMMTbxNVG— Fëllanza Podrimja (@FPodrimja) May 19, 2022
Nga Prishtina, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, folën të mërkurën për “Ballkanin e Hapur” ku të dy liderët thanë se janë kundër kësaj nisme dhe se Procesi i Berlinit është iniciativa e vetme që i duhet Ballkanit Perëndimor.
“Jemi shumë të vetëdijshëm për mundësinë e bashkëpunimit rajonal ekonomik. Ky orientim parimor nuk do të thotë se i kemi sytë mbyllur. Por, ne mendojmë se në këtë temë kemi një iniciativë të mirë të Procesit të Berlinit. Kjo iniciativë është komplementare në rrugën drejt integrimit evropian”, tha Gjukanoviq.
Përgjigjja e Ramës ndaj Osmanit e Gjukanoviqit i përlqeu presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ia bëri ‘like’ postimit.