Aleksandar Milojeviq, djali i politikanit kundërthënës serb nga Kosova, Zoran Milojeviq – Zhela, ka vozitur deri në Beograd një veturë zyrtare “Skoda” në pronësi të Komunës së Zubin Potokut, në fillim të vitit 2020.
Nuk dihet se nga e ka marrë Milojeviq veturën zyrtare të shtetit të Kosovës, raporton sot Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit (KRIK) në Serbi.
Babai i tij, politikani serb nga Kosova Zoran Milojeviq, i tha KRIK-ut se ai e kishte përdorur veturën e njëjtë gjatë kohës sa punonte në Zyrën e Telekomunikacionit në Mitrovicën e Veriut dhe se Aleksandri, djali i tij, nuk e ka vozitur kurrë atë veturë.
Në fillim të janarit 2020, pak para orës një pasdite, policia e Beogradit ndaloi veturën “Skoda Octavia” e cila po ecte pothuajse dy herë më shpejt se sa lejohej – shkonte 89 km për orë, megjithëse shpejtësia maksimale ishte 50 km për orë.
Në timon ishte Aleksandar Milojeviq, djali i politikanit me ndikim serb nga Kosova, Zoran Milojeviq, bazuar në shkresat për kundërvajtje të policisë serbe të siguruara nga gazetarët e KRIK-ut.
Sipas procesverbalit të përpiluar nga policia në vendngjarje, ai nuk ishte duke vozitur veturën e tij, por një veturë të regjistruar në Komunën e Zubin Potokut të Kosovës.
Nuk është e qartë se në çfarë baze Milojeviq e ka përdorur veturën zyrtare të shtetit të Kosovës, duke pasur parasysh se ai nuk është zyrtar komunal dhe as nuk dihet nëse është i punësuar në komunë. Komuna për më shumë se tri javë nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të KRIK-ut për këtë çështje.
Gazetarja nuk ka arritur të kontaktojë Aleksandrin dhe ai nuk i është përgjigjur pyetjeve që ajo i ka dërguar me e-mail. Ajo foli me Zoran Milojeviqin, babain e tij.
“Më besoni, nuk e di, vetëm nëse ai e ka vozitur makinën për ta furnizuar me karburant apo diçka e tillë,” tha Milojeviq.
Ndaj Aleksandar Milojeviqit është iniciuar një procedurë para Gjykatës për Kundërvajtje në Beograd për tejkalim të shpejtësisë me automjet “Skoda”, por ai nuk është dënuar për shkak të vjetërsimit të lëndës.
Milojeviq nuk është paraqitur në gjykatë, e as policia nuk ka arritur ta gjejë dhe ta dërgojë atë në gjyq, tregojnë dokumentet e siguruara nga gazetarët e KRIK-ut. Policia e njoftoi gjykatësin e rastit që urdhëroi sjelljen e Milojeviqit në gjyq, se ai nuk ndodhej në adresën të cilën e kishte raportuar zyrtarisht në Beograd.
Kjo është vetëm një nga dhjetëra shkeljet e trafikut të kryera nga Milojeviq në të gjithë vendin, raporton KRIK. Në shumicën e rasteve, Milojeviq ishte dënuar për kundërvajtje, dhe meqenëse ai kryesisht nuk i paguante gjobat, ato u zëvendësuan me burgim, por sanksionet ndaj tij nuk u zbatuan kurrë.
Megjithatë, ai tani mund të përballet me një dënim të madh me burgim.
Së fundmi ai u akuzua se kishte tentuar të vriste një burrë, shtetas serb, në Kopaonik të Serbisë në dhjetor të vitit të kaluar, pasi dyshohet se e kishte sulmuar atë me mjet të mprehtë, thikë.
Për këtë arsye ai ka qenë në paraburgim deri në fund të muajit prill, kur është liruar për në arrest shtëpiak.
Milojeviq ka një të kaluar të pasur kriminale, sipas dokumenteve të Policisë së Kosovës të siguruara nga gazetarët e KRIK-ut më herët. Ai ka qenë i dyshuar në më shumë se tridhjetë raste – është ndjekur penalisht për posedim të drogës dhe armëve, rrëmbim, lëndim të rëndë trupor, kërcënime, sulm ndaj zyrtarëve policorë, por edhe në dhjetëra raste të tjera për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Babai i tij, Zoran Milojeviq, është një përfaqësues i shquar politik i Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Ai ka qenë këshilltar në Zyrën për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, në periudhën kur në krye të saj ishte Aleksandar Vullini. Vajza e tij, Magdallena është zëvendëskonsulle e Serbisë në Shtutgart.