Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe ministri i Punëve të brenshme, Xhelal Sveçla, në seancën e sotme e cila po zhvillohej në Kuvendin e Kosovës kanë pasur një përplasje, raporton Gazeta “Enigma”.
Tahiri e ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme, pasi siç tha ai “kam pritur që Sveçla do të jetë më aktiv në foltore dhe dikasterin që e udhëheq”.
“Kam pritur me qenë më aktiv në këtë foltore, në prezantimin e strategjisë tonde, që lidhen me luftën kundër korrupsionit. Ti statistikat, numrat flasin se ka një regres të madh në kohën kur ti e drejton MPB-në”, tha Tahiri.
Sveçla iu kundërpërgjigj Tahirit duke i thënë se “unë nuk blej allti me pare të shtetit”.
Ministri i MPB-së deklaroi se Tahiri duhet t’i merr krahasimet për punën e Policisë së Kosovës ashtu siç i ka hije.
“Po thua në 2020 ka pasur pandemi, e 2021 s’ka pasur apo çka? Policia e Kosovës ka qenë një prej faktorëve kryesor që në Kosovë është menaxhuar pandemia siç duhet. Kështu që kur t’i merrsh krahasimet merri qysh të duhet. Në 2019 ka pasur më shumë arrestime të opozitës sesa kriminelëve të nivelit të lartë. Fundi i fundit, asnjë skandal të qeverisë s’e kena pasur. Unë nuk blej allti me pare të shtetit, e me graviru e pastaj mos me kthy edhe kur e lëshon pozitën”, iu kundërpërgjigj Sveçla.
Pas kësaj deklarate, Tahiri i tha Sveçlës se do të mbahet mend si ministër që ka bërë punësime në baza partiake dhe familjare.
“Këqyre ministër, je një prej ministrave që ke me u mbajt mend për punësimin e motrave, vëllazërive, rretheve, ma shumë mbahesh mend për familjarizëm sesa për angazhim në rend dhe fuqizimin e rendit publik. Kjo është një problem i madh i joti, e di që ndihesh keq edhe me armë. Krejt çka të njihemi ty është punësimi i motrës, dhëndrrit, vëllait. Prandaj, këto janë çështje që flet qytetari, media edhe opozita për ty, e jo fuqizimi i rendit publik”, shtoi Tahiri./Gazeta Enigma/