Titulli i kampionit dhe skuadrat që do të marrin pjesë në garat europiane janë bërë të ditura në Superligën e Kosovës, po ashtu edhe dy skuadrat të cilat edhe zyrtarisht në sezonin e ri do të luajnë në Ligën e Parë.
Dilema mbetet se cila skuadër do të luajë në barazh, Prishtina, Drenica, Malisheva apo Dukagjini. Kjo gjë do të vërtetohet të dielën pas orës 17:00.
Të dielën nga ora 15:00, luhen tri takime interesante për zonën e barazhit, Feronikeli – Drenica, Malisheva – Dukagjini dhe Llapi – Prishtina, vëmendja do të jetë të këto dy takimet e fundit.
Drenica pritet të ketë punë të lehtë ndaj Feronikelit, duke e pasur pothuajse të sigurt mbetjen në Superligë edhe për një sezon tjetër.
Analistët e futbollit Arbnor Morina dhe Genc Sermaxhaj në një bisedë për Gazetën Enigma, kanë treguar se cilat prej këtyre skuadrave e rrezikojnë barazhin.
Analisti dhe trajneri i futbollit Arbnor Morina i konsideron si dy finale takimet Malisheva – Dukagjini dhe Llapi – Prishtina.
“Malisheva – Dukagjini, Llapi – Prishtina, dy derbi, dy finale. Malisheva dhe Dukagjini e kanë tregu që janë ekipe të mira, te konsiliduara, mirëpo kanë pasur sfidime gjatë kampionatit, mendoj që tasht është loja e fundit dhe i kanë gjasat me i realizu aspiratat e veta”, thotë Arbnor Morina për Gazetën Enigma.
Morina i jep përparësi Malishevës ndaj Dukagjinit, për shkak të terrenit, pasi vendasit luajnë fushë me bari sintetik, ndërsa Dukagjini në fushë me bari natyral.
“Ndeshja luhet në Malishevë, që më tepër i konvenon fusha Malishevës, sepse stërvit dhe luan në fushë sintetike. Dukagjini e ka edhe sintetikin edhe natyralin, por luan në natyralin dhe është një ndjesi pak më ndryshe. Mendoj që ka me qenë një lojë shumë e fortë”, thotë ai.
Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj nuk mendon njëjtë si Arbnor Morina, ai thotë se Dukagjini ka përparësi ndaj Malishevës, pasi klinasve i konvenon barazimi për t’i ikur zonës së barazhit.
“Për zonën e barazhit janë 4 ekipe e më se afërmi saj janë Malisheva e Dukagjini të cilat duhet ë bëjnë maksimumin në ndeshjen e tyre të fundit. Përparësi më shumë ka Dukagjini sepse i konvenon edhe barazimi, ndërsa Malisheva duhet me patjetër të fitoj ndeshjen”, vlerëson Genc Sermaxhaj.
Trajneri i Ferizajt thotë se Prishtina është e detyruar që të luajë me lojtarët e saj më të mirë ndaj Llapit.
Llapi – Prishtina, dy ekipa të cilat kanë lojtarë shumë kualitativ, njëra skuadër ka aspirata për me e fitu kupën, tjetra me mbet në ligë. Mendoj që 50 me 50 janë gjasat. Sepse nëse nisemi prej asaj që Llapi mundet me i rujt lojtarët për finale, Prishtina e ka obligative me lujt me lojtarët më të mirë për me e arritë objektivin”, thotë Arbnor Morina.
Për Morinën, Llapi në këtë ndeshje është e qetë, kurse presionin e ka Prishtina.
“Psikologjikisht Llapi është më e qetë, kurse Prishtina ma e ngarkuar, të dy skuadrat kanë numër të madh të lojtarëve kualitativ edhe nuk është ndonjë minus se me çfarë ekipe ka me lujt. Gjasat edhe këtu janë të barabarta për të dy skuadrat”, vlerëson ai.
Drenica konsiderohet favorit absolut ndaj Feronikelit, sipas Morinës.
“Drenica është favorit absolut, djemtë e Feronikelit janë djem të rinj, pa eksperiencë edhe pse kanë tregu lojëra të bukura për moshën dhe kualitetin që e kanë”, potencon Morina.
Sermaxhaj thotë se Drenica e ka ndeshjen më të lehtë, kurse Prishtina mund të marrë fitore ndaj Llapit që pritet t’i pushojë lojtarët kryesor, pasi luan pas disa ditëve finalen e Kupës së Kosovës.
“Në ndeshjen tjetër më lehtë e ka Drenica e cila luan me ekipin tashmë të rënë nga elita Feronikelin. Prishtina mund të bëj më shumë në ndeshjen e saj ndaj Llapit ngase kjo e fundit përgatitet për ndeshjen e finales së kupës dhe me gjasë nuk rrezikon me lojtarët e saj më të mirë”, vlerëson ai.
Genc Sermaxhaj e sheh Malishevën si ekip të barazhit për shkak të cilësisë dhe përformancave gjatë tërë sezonit.
“Nga të katër ekipet unë e shoh Malishevën ekip të barazhit, edhe përshkak të cilësisë e po ashtu edhe përformancave të saj gjatë kampionatit. Edhe pse është një ndeshje, gjithçka është e hapur për të gjitha, dhe mund të ndodh gjithçka”, thotë ai.
Arbnor Morina thotë se tasht nuk po luan emri, por ato ekipe qe po luftojnë në fushën e lojës.
“Ka kalu ajo kohë kur ka lujt emri, tasht po lujnë ekipet që janë kompakte që po luftojnë, po kanë lojën e qartë. Të trija këto që po mbesin si kandidat për me qenë në barazh, faktikisht janë aty ku kanë qenë gjatë gjithë kampionatit. Rrjedha e kampionatit ka qenë e tillë që si ka lënë me qenë në pjesën e sipërme të tabelës”, thotë ai.
Kujtojmë që skuadra që mbetet në zonën e barazhit do të takohet me fituesin e ndeshjes Liria – Vushtrria që luhet të shtunën në Klinë.
/GAZETA ENIGMA/