Robert Lewandowski e dëshiron me çdo kusht transferimin në Barcelonë në këtë afat kalimtar të verës, por klubi i Bayern-it do që ta mbajë edhe për një sezon sulmuesin polak.
Lewa-s i mbaron kontrata me klubin gjerman në verën e vitit të ardhshëm, por ai ka shprehur haptas dëshirën që të transferohet në Spanjë në ditët në vazhdim.
Lidhur me këtë situatë të krijuar mes klubit dhe bomberit polak, ka folur menaxheri i Leëa-s, Pini Zahavi, i cili ka këshilluar drejtuesit e Bayern-it që ta lirojnë futbollistin e tij.
“Robert dëshiron të largohet këtë verë. Ta dini: askujt prej nesh nuk i plas për para. E vërteta është se ai nuk është ndjerë i respektuar nga klubi në muajt e fundit”, tha Zahavi për “Bild”.
“Bayern-i tashmë mbetet një histori për të. Ai dëshiron të shkojë në klubin ku ka ëndërruar të luajë”.
“Drejtuesit nuk na kanë bërë asnjë propozim në lidhje me rinovimin. Robert është 34 vjeç, ai dëshiron të bëjë realitet ëndrrën e tij”.
“Ata thonë se kanë kontratë deri në 2023 me Lewandowskin? Sigurisht, ata mund ta mbajnë edhe një vit po të duan, por kjo është diçka që nuk do t’ua rekomandoja”, deklaroi menaxheri i goleadorit të njohur.
Kujtojmë që Lewandowski është pjesë e klubit të Bayern-it që nga vera e vitit 2014, kur u transferua nga Dortmundi me parametra zero.
Ai deri më tani ka zhvilluar 375 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Bayern-it, prej të cilave ka shënuar 344 gola.