Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte përballë presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në panelin disktues me temën “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos.
Në panel kanë qenë edhe liderë të shteteve tjera të rajonit, si dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.
“Krahas kryeministrit Kurti, në këtë sesion, diskutuan edhe: Andrej Plenkoviq, Kryeministër i Kroacisë, Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi, Alexander Schallenberg, Ministër Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë, Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Miroslav Lajčák, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Odile Françoise Renaud-Basso nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh)”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Diskutimi në panel u kryesua nga Børge Brende, President i Forumit Ekonomik Botëror, thotë ZKM, ndërsa u prezantua nga Mirek Dusek, Zëvendës Drejtor i Qendrës për Çështje Gjeopolitike dhe Rajonale, njëherit Anëtar i ExCom, Forumi Ekonomik Botëror.
“Ky sesion që ofroi mundësi për dialog me shumë palë mbi Ballkanin Perëndimor, ka për synim të ndihmojë nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.