Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në katërt muajt e fundit në vend kanë hyrë 1.7 milion shtetas të huaj.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia ishte në kulmin e vet dhe lëvizjet vijonin të ishin të kufizuara, hyrjet e të huajve në vend janë rritur me 42%. Rritja është ndikuar nga shtimi i ndjeshëm i hyrjeve nga të gjitha shtetet, me përjashtim të Kosovës, që ra me gati 14%.
Hyrjet nga Greqia u gjashtëfishuan, teksa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin pothuajse të paralizuara. Shtetasit nga Italia pothuajse u trefishuan, nga Spanja u pesëfishuan, nga Anglia u gjashtëfishuan.
Turizmi po i afrohet ndërkohë niveleve të parakrizës, teksa mbërritjet e të huajve ishin vetëm 3% më të ulëta sesa katërmujori i parë i vitit 2019, që dei tani ka qenë viti më i mirë historik për turizmin.
Në krahasim me periudhën e parapandemisë, në vend kanë hyrë më shumë shtetas italianë, anglezë gjermanë dhe nga Kosova.
Pesha e Kosovës ka rënë në katërt muajt e parë të këtij viti, si rrjedhojë e hyrjeve më të pakta nga shteti fqinjë dhe rritjes së ndjeshme të turistëve nga Europa. Për periudhën janar-prill 2022, shtetasit nga Kosova zinin 31% të totalit, nga 50% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet dhe daljet
Sipas INSTAT, Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Prill 2022, janë 832.920. Krahasuar me Prill 2021, ky tregues rezulton me një rritje 78,6%. Në Prill 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 402.051. Krahasuar me Prill 2021, ky numër është rritur me 66,8%.
Gjatë katërmujorit të parë 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 6 herë, ndërsa Kosova ka pasur rënien më të ndjeshme me 13,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021
Pothuajse dyfishohen dhe daljet e shtetasve
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Prill 2022, janë 834.528 duke shënuar një rritje me 85,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Prill 2022 janë 449.294. Krahasuar me Prill 2021, ky numër është rritur me 2 herë. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Prill 2022, janë 385.234. Krahasuar me Prill 2021, ky numër është rritur me 75,5%.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë katër muajve të parë të 2022, është 1.502.984 duke u rritur 52,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.