Kryediplomatja Donika Gërvalla ka shkuar në zyrat e AKI-së për t’u zotuar për bashkëpunim me instituticionin e Inteligjencës. Nuk dihet nëse deri tash ka funksionuar bashkëpunimi mes Ministrisë së Jashtme dhe AKI-së. Janë hedhur dyshime se AKI-ja nuk e ka verifikuar profilin e Martin Berishajt, para se ai të emërohej ambasador.
Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë njofton se sot është nënshkruar një memorandum i bashkëpunimit mes ministres Gërvalla dhe drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajetin.
Sipas njoftimit, “ky Memorandum arrihet me qëllim të avancimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, për të mbështetur njëra tjetrën në përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor”.
Më herët është thënë se MPJD ka një vendim, sipas së cilit i kërkohet AKI-së të verifikojë profilet e personave që emërohen në misione diplomatike.
Janë hedhur dyshime se nëpër një proces të tillë nuk ka kaluar ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas raportimeve në Slloveni se ai është përfshirë në shpërlarje të parave.
Pas raportimeve të mediave sllovene se ambasadori i tanishëm i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në shpërlarje të parave, janë hedhur dyshime nga opozita dhe mediat se ai nuk ka kaluar nëpër procedurë të verifikimit. Por, kjo nuk është konfirmuar.