Shef i stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar pas marrëveshjes që sot bëri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për blerjen e gazit rus.
Vela ka theksuar se Serbia në vend se të përafrojë qëndrimet me BE-në, ajo po bashkëpunon me Rusinë dhe ka pyetur se deri kur do ta tolerojë Bashkimi Europian këtë sjellje të Serbisë.
“Putin dhe Vuçiq u pajtuan në një telefonatë sot që Rusia të vazhdojë të furnizojë Serbinë me gas natyral dhe dy vendet do të vazhdojnë të përforcojnë partneritetin e tyre. Serbia, një vend kandidat i BE-së, në vend se të përafrojë sanksionet me BE-në thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”, ka shkruar Vela.
Vuçiq, në deklarimin për gazetarët pas bisedës me Putinin, ka thënë se me të ka folur për disa tema, por se kryesorja ishte marrëveshja për importin e gazit nga Rusia dhe çmimin e tij. Ai këtë marrëveshje e cilësoi si “të favorshme”./Gazeta Enigma/