Osmani: Kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës nga Abazoviq

Osmani: Kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës nga Abazoviq

Në margjina të Samitit të Demokracisë së Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Mal të Zi, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në këtë takim, Osmani dhe Abazoviq kanë diskutuar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësitë për avancimin e mëtutjeshëm të tyre.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova e vlerëson dhe e përkrah bashkëpunimin me Malin e Zi në të gjitha fushat, duke theksuar edhe mundësinë për shkëmbim të përvojave për procesin e integrimit evropian.

Më tej, e para e shtetit të Kosovës ka kërkuar përkrahjen e qeverisë së Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në veçanti, si dhe në organizata ndërkombëtare në përgjithësi.

Osmani dhe Abazoviq theksuan edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit e me këtë rast.

Presidentja potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërtuar mbi premisat e barabarësisë dhe gjithpërfshirjes, si dhe faktin se Kosova përkrahë vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit.

Ndërlidhur me zhvillimet në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë, dy liderët diskutuan edhe për rëndësinë e vazhdueshme të koordinimit të veprimeve me Bashkimin Evropian në raport me agresionin rus në Ukrainë.

Related Articles