Nexhmedin Gërxhaliu, i mbijetuari i masakrës në Studime të Vushtrrisë, ka rrëfyer për vrasjen e 13 anëtarëve të familjes së tij nga forcat serbe, 22 vite më parë, raporton Gazeta Express.
I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka treguar se më 31 maj, 22 vite më parë, 13 anëtarë të familjes së tij, nëna, bashkëshortja me djalin, vëllau me bashkëshorten e tij dhe 7 fëmijë dhe djali i axhit të tij, janë masakruar nga forcat serbe. Masakrimi i një pjese të familjes ai thotë se u bë para syve të vëllait të tij, djalit të vëllait dhe djalit të axhit të tij, të cilët po ashtu u masakruan më pas.
“Më 31 maj, u vranë 12 anëtarë të familjes, në realitet komplet familja, i vetmi i mbijetuar jam unë. Kam edhe 5 motra, por të gjitha janë të martuara. Në familjen e ngushtë jam vetëm unë i mbijetuar. Ka qenë nëna, vëllai, gruaja e vëllait me 6 djem dhe një vajzë, gruaja ime me një djal, djali i axhës. Rasti ka ndodh në shtëpi brenda. Më 31 maj në orën 07:00 në mëngjes, kanë hyrë i kanë zënë brenda, në prezencë të vëllait, djalit të madh të vëllait dhe djalit të migjës të cilët i kanë mbajtur peng. Ata i kanë parë të gjithë. Ata i kanë dërguar diku pastaj në mes të fshatit dhe atje i kanë pushkatuar. Të gjithë janë të vrarë me plumb në kokë”, ka rrëfyer ai.
Gërxhaliu tregon se atë kohë ai ka qenë në Gjermani, andaj edhe i ka mbijetuar kësaj masakre. Megjithëse, ai shprehet se do të donte që edhe ai të ishte prezent
“Unë kam qenë atë kohë në Gjermani. Me dëshirë edhe unë kisha qenë prezent. Pas çlirimit kam ardh me shpresën se kam me e gjet dikë të gjallë, por për fat të keq jo. Me shpresë e kam bërë rrugën se kur të kthehem kam me e gjet një të gjallë. E kam marrë njërën motër që ka qenë e martuar në Kukës. Tanë rrugën i kam treguar një nga një. Kur kam ardh në shtëpi ka qenë shumë tragjike, shumë e dhimbshme”, ka rrëfyer ai.
Gërxhaliu ka rrëfyer sa edhe sot familjarët e tij i paraqiten në ëndërr. Ai ka treguar se pas luftës vëllanë e ka parë në ëndërr duke i thënë kthehu në shtëpi, andaj edhe pas asaj ditë ai është kthyer për të jetuar në shtëpinë ku ka ndodhur masakra.