Kryeministri i Hungarisë, Péter Magyar, i ka dërguar letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për mandatin e ri qeverisës, duke rikonfirmuar përkushtimin e vendit të tij për sigurinë e Kosovës dhe mbështetjen për integrimin e saj evropian.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti e pranoi letrën të premten pasdite, më 9 tetor, përmes ambasadorit hungarez, László István Dux.
“Dua t’ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Ne njohim rolin kyç të Kosovës në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, jemi të bindur që një Ballkan Perëndimor prosperues ka rëndësi jetike për Hungarinë dhe mbarë kontinentin evropian”, shkroi Magyar.
Kryeministri hungarez rikonfirmoi gjithashtu përkushtimin e Hungarisë për të kontribuuar në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it.
“Në këtë frymë, më lejoni të ritheksoj se Hungaria mbetet e përkushtuar për të kontribuuar për sigurinë e Kosovës nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it dhe për të mbështetur vendin tuaj në rrugën evropiane”, shkroi kryeministri Magyar.
