Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti këtë të mërkurë në takim drejtorin e Institutit Ndërkombëtar Republikan, Paul McCarthy.
Qeveria njofton se në këtë takim është diskutuar për politikat programore të partive politike dhe se Kurti ka thënë se nuk mjafton vetëm demokratizimi i institucioneve shtetërore, por nevojitet edhe demokratizimi i partive politike.
“Ai theksoi stabilitetin institucional dhe qeverisjen demokratike, si rezultat i të cilave Kosova është renditur në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, është ngritur për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave, sipas Reporterëve pa Kufij”, thuhet në komunikatën për media.
“Me politikat tona në qeverisje kemi dëshmuar që demokracia dhe ekonomia zhvillohen krahas njëra-tjetrës”, ka thënë kreu i ekzekutivit.
Lidhur me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kurti ka ritheksuar që marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe fillimisht Serbia duhet të pranojë dokumentet e Kosovës.
“Z.Paul McCarthy e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe tha se do ta mirëpriste në vizitën e tij të ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.