Shefi i Grupit Parlamentar i Paritsë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, sërish ka akuzuar Qeverinë Kurti , duke thënë kështu se është e pabesueshme se me çfarë guximi kanë filluar të abuzojnë me paranë publike.
Tahiri ka theksuar se dy ministria, Gërvalla dhe Fikrim Damka, i keqpërdorën 1.1 milion euro, duke i ndarë këto para jashtëligjshëm një OJQ-je.
“Është e pabesueshme se me çfarë guximi kanë filluar të abuzojnë me paranë publike ministrat e Qeverisë Kurti, duke mos u tunduar të dinë për ligjin, lere më t’iu nënshtrohen ligjeve kur është fjala për shpërndarjen e parave të taksapaguesve të Kosovës”, ka shkruar Tahiri.
Mes tjerash, Tahiri ka shkruar se kjo aferë përveç që shpërfaqë paafatësinë institucionale të kësaj qeverie, shpërfaqë edhe vetëbesimin e verbër se këta ministra janë mbi ligjin.
“Kjo aferë, përveç që shpërfaqë paaftësinë institucionale të kësaj qeverie, shpërfaqë edhe vetëbesimin e verbër se këta ministra janë mbi ligjin dhe se paranë publike e konsiderojnë si mjet për të mbuluar deficitet e tyre të gjithanshme, pa ndjerë kurrfarë përgjegjësie për to, e për mënyrën se si shpenzohen ato”.
“Keqpërdorimi dhe abuzimi i jashtëligjshëm i këtyre dy ministrave, ngjashëm si edhe afera të tjera korruptive që i kemi ngritur më parë e që po dalin në shesh për çdo ditë, tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie dhe papërgjegjësinë e saj karshi ligjit e qytetarëve”, ka shkruar ai.