“Emergjent ndëshkimi i përgjegjësve për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë”

“Emergjent ndëshkimi i përgjegjësve për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë”

Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, në konferencën e parë të presidencës shqiptare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e ka konsideruar si emergjente ndëshkimin e përgjegjësve për disa nga për çështjet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut, duke përfshirë këtu edhe gratë e dhunuara në Kosovë gjatë luftës.

Ai ka renditur disa nga çështjet ndërkombëtare më emergjente sipas Shqipërisë duke përmendur si të parën në listë çështjen e grave të dhunuara në Kosovë.

“Respektimi i ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë thelbi i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe janë thelbi i prioriteteve tona për mandatin tonë në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë Hoxha.

“Për një kohë të gjatë ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda”, ka shtuar Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB.

Hoxha i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë për të vepruar për disa nga çështjet më të rëndësishme të lidhura me të drejtat e njeriut në botë.

“Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë. Ekziston një emergjencë për të vepruar tani në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta. Dhe kështu e kam fjalën për gratë e dhunuara të Kosovës, për nënat e pikëlluara të Bosnjës, për fëmijët e Ukrainës, për viktimat pa emër në Tigre, për Hazarët në Afganistan, për Yazidët në Irak, për të burgosurit politikë në Mianmar dhe Sudan, për të arrestuarit në Siri, për gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës, për të gjithë kudo që janë të drejtat e të cilëve janë mohuar”, ka theksuar Hoxha. 

Related Articles