Te Llapi lëvizjet kanë nisur qysh pak kohë para përfundimit të sezonit 2020/21. Mirëpo llapjanët tani po i ndajnë rrugët edhe me disa lojtarë.
Tëvë1 nga burime të sigurta ka mësuar se klubi nga Podujeva i ka lënë të lirë katër lojtarë. Fjala është për futbollistë si Elvis Prençi, Ardit Peposhi, Dardan Jashari dhe Alban Shillova.
Të gjithë këta lojtarë kanë qenë një ndihmesë e madhe e skuadrës llapjane për fitimin e Kupës së Kosovës, dhe arritjes në garat evropiane, mirëpo akordi për vazhdimin e bashkëpunimit me ta nuk është arritur.
Paraqitje më së shumti këtë sezon ka pasur Prençi me 30 sosh, duke shënuar një gol dhe dhuruar një asist. Kurse në Kupë ka katër ndeshje, duke realizuar një asist. Ndërsa pas tij vijnë Peposhi e Shillova me nga 24 ndeshje, ky i pari ka vetëm një asist, kurse sulmuesi dy gola e dy asiste në elitë, teksa në Kupë një gol dhe një asist.
Dardan Jashari ka 16 ndeshje në Superligë, dhe tri në Kupë. Mbrojtësi në kampionatin e rregullt ka shënuar dy gola.