Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, duhej të fillonte sot një vizitë dy ditore në Beograd.
Por kjo vizitë u pengua nga fakti se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ndaluan fluturimin e aeroplanit të tij mbi hapësirën ajrore të tyre.
Siç ka vlerësuar Lavrov, kjo që ka ndodhur është e paimagjinueshme dhe se privon një shtet sovran për të ushtruar të drejtën e tij.
Por çfarë ka rënë në sy në deklaratat e tij, është edhe përmendja e iniciativës “Ballkani i Hapur”.
Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se Brukseli nuk dëshiron që Lavrov dhe zyrtarët serbë të diskutojnë “partneritetin tonë strategjik në zhvillim të shpejtë, si dhe çështjet ndërkombëtare”, shkruajnë mediat serbe si Danas dhe N1.
“Natyrisht, udhëheqësit e Brukselit nuk donin të konfirmonin qëndrimin e Rusisë për Kosovën dhe BeH, për të shprehur mbështetjen për nismën e Beogradit për Ballkanin e Hapur dhe për të diskutuar interesat për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit”.
Kështu, siç interpretohet, shkruan mediumi serb Danas, Lavrov në fakt pranoi se ideja e kujt është Ballkani i Hapur.
Ndryshe, Ballkani i Hapur është iniciativë që është duke u mbështetur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina vazhdojnë ta refuzojnë, me Malin e Zi që ka dhënë sinjale se mund t’i bashkohet kësaj iniciative.