Deklarohen nga Komisioni Evropian, mohon se Kocijançiq është përpiluese e “non-paper”

Deklarohen nga Komisioni Evropian, mohon se Kocijançiq është përpiluese e “non-paper”

Bujë të madhe së fundi bëri publikimi i një dokumenti të ashtuquajtur ‘Non-Paper’ në të cilin flitet për ndryshimet e kufijve në Ballkan, duke prekur kështu edhe Kosovën.


Nga shteti serb kanë deklaruar së fundi se prapa kësaj letre e cila fletë për një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë qëndron Maja Kocijançiq zyrtare e Bashkimit Evropian.

Regjisori serb, Dragoslav Bokan deklaroi se pas “non-paper” për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi qëndron zëdhënësja e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Maja Kocijançiq.

Lidhur me këtë lajmi.net ka dërguar pyetje në adresë të Kocijançiqit, ku në përgjigjen e kthyer mohohet kategorikisht një gjë e tillë.

“ Komisioni hedh poshtë këtë spekulim qesharak se një nga zyrtarët e tij qëndron pas kësaj të ashtuquajturës ‘non paper’. Komisioni nuk ka asnjë koment për të ashtuquajturën ‘non paper’ që nuk e ka prodhuar as marrë”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Poashtu u theksua se të njëjtit vetëm mund të përsërisin mbështetjen e vazhdueshme dhe të qartë të Bashkimit Evropian për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ballkanit Perëndimor.

Për këtë draft-dokument janë deklaruar edhe nga Ambasada e Gjermanisë dhe Francës, të cilët thanë se nuk është asgjë tjetër përpos spekulim dhe se askush nga këto shtete nuk ka përpiluar apo marrë një dokument të tillë.

Ngjashëm kanë deklaruar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një përgjigje të dhënë ditë më parë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u tha se spekulimet e panevojshme të kohëve të fundit për ndryshimin e kufijve në Ballkan, kërcënojnë dhe destabilizojnë rajonin dhe përkujtojnë tensionet e mëparshme.

“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme të kohëve të fundit për ndryshimin e kufijve në Ballkan sipas linjave etnike kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe përkujtojnë tensionet e mëparshme. Një e ardhme e qëndrueshme, e begatshme për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet në qeverisjen e mirë, sundim të ligjit, demokraci shumetnike dhe respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore””, u tha në deklaratë.

Lidhur me këtë çështje ditë më parë nuk deshën të deklaroheshin nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti.

Related Articles