Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH-i), ka shprehur gatishmërinë për ta mbështëtur çdo nismë rajonale që bazohet në rregullat e Bashkimit Evropian dhe që për qëllim ka fuqizimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ky koment erdhi pas takimit të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.
“Shtetet e Bashkuara i mbështesin këto dhe nisma të tjera plotësuese, të cilat kolektivisht thellojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe avancojnë rrugën evropiane”, tha ky zëdhënës i DASH-it për REL-in.
Në takimin e Ohrit të pranishëm ishin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia të mërkurën nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.